Report TV - Shkodër, 25-vjetori i meshës së parë, Rama: Atë ditë rilindi Zoti

Report TV 2015-11-04

Views 1

Është përkujtuar këtë të mërkurë në Shkodër, në një ceremoni të veçantë në varrezat katolike të këtij qyteti, 25- vjetori i mbajtjes së meshës së parë pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e cila u kremtua nga Dom Simoni.

I pranishëm në këtë përkujtimore Kryeministri Edi Rama është shprehur se këto varreza, të cilat i cilëson si stacione të kishës në historinë e kulturës, artit dhe aspektit shpirtëror janë një pjesë, pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbiste kuptimin.

?Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shoqëruar fjalën e Dom Simonit, ka qenë momenti i parë për të gjithë ata që ishin këtu, i çlirimit nga ankthi dhe i përjetimit të së vërtetës se e shkuara ishte tretur në të shkuarën dhe se e ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave. Fjalët e para liturgjike të belbëzuara nga Dom Simoni teksa niste meshën e parë në Shqipërinë treguan se atë ditë këtu rilindi Zoti," tha Rama.

Në fjalën e tij Rama tha se historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri, filloi pikërisht në ditën kur u mbajt mesha e parë nga Dom Simoni.

"Në këto varreza dhe në këtë tempull kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë u bë tharmi i emancipimit të një kombi të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi kohët pas meshës së 4 nëntorit. Historia mund të shkruhet gjithsesi dhe sidoqoftë mbi historinë ata që e jetojnë kanë këndvështrime të ndryshme, por unë besoj se historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri filloi atë ditë këtu dhe pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani. Cfarë ndodhi në fund të atij viti këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër përvecse këtu. Ky vend nuk është i paqtë se është një varrezë por shumë më tepër se kaq, një kopësht shpirtëror dhe një lëndinë për lutje për paqe dhe shpresë," u shpreh kreu i qeverisë.

E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe personalitete të larta të politikës, komuniteteve fetare, artit e kulturës, si dhe drejtues të pushtetit lokal.

Share This Video


Download

  
Report form