Basha: Hetimet e 21 Janarit, sipas ligjit - Vizion Plus - News - Lajme

VizionPlusAlbania 2015-11-22

Views 0

Ministri i Brendshëm në kohën e ngjarjeve të 21 Janarit, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaron se hetimet për ato ngjarje duhet të zhvillohen sipas parametrave ligjore. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", dhënë gjatë vizitës së tij në Uashington, Basha tha se procesi duhet të bazohet në ligj. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të ecë në parametrat e shtetit ligjor dhe në këtë kuptim, çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji dhe nga nevoja për të ekzekutuar brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka," është shprehur Basha. Duke folur për problemet e kryeqytetit, kryebashkiaku i Tiranës tha se ato janë të shumta dhe nuk mund të zgjidhen brenda 24 orësh, por ai shtoi se për zgjidhjen e tyre ai do të tërheqë mendimin e qytetarëve dhe do ta mbajë Bashkinë larg politikës. "Mendoj se kemi arritur të nxjerrim Bashkinë e Tiranës nga vorbulla e konfliktit politik dhe orientimin e saj 100% tek problemet, sfidat, dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve. Bashkia është e hapur për qytetarët jo vetëm me takimet me mua personalisht, por edhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit," ka nënvizuar kryebashkiaku. Për një nga premtimet e tij elektorale që ka të bëjë me hipotekimin e banesave, Basha tha se procesi pritet të përfundojë brenda vitit 2012. Kryetari i Bashkisë së Tiranës takohet sot me homologun e tij të Uashingtonit Vincent Gray. Gjatë qëndrimit në Uashington, Basha ishte ftuar dje në qendrën e studimeve të avancuara ndërkombëtare SAIS.

Share This Video


Download

  
Report form