Në fushata elektorale, një ndër premtimet më shpesh të artikuluara nga partitë politike, është transparenca në qeverisje. Por vetë këto subjekte, financohen apo përdorin para publike apo donacione, larg transparencës. Një raport i organizatës TIA, që synon të hedhë dritë mbi paratë në politikë, thekson se Shqipëria ka një kuadër të mirë ligjor në këtë fushë, por zbatim të dobët në praktikë. "Indikatorët e vlerësuar me pikët më të ulëta, janë sanksionet dhe masat parandaluese. Sanksionet nuk parashikojnë përtej gjobave, dhe janë të pamjaftueshme për t'iu përgjigjur shkeljes së ligjit". TIA ka marrë në analizë gjithashtu raportet financiare të dorëzuara në KQZ në vitin 2012. Kështu demokratët kishin raportuar vetëm për periudhën e fushatës, megjithëse ligji detyron një publikim vjetor, ndërsa PS, PBDNJ, PR dhe LSI e kishin dorëzuar për periudhën vjetore. Organizata bën thirrje për rritjen e transparencës për të kufizuar shanset e korrupsionit. Duke analizuar realizimin e premtimeve të parashikuara në programin e koalicionit PD-LSI, organizata "MJAFT", ka arritur në përfundimin se në 4 vitet e fundit, qeverisja është bazuar mbi improvizimin. Nga programi janë identifikuar 61 premtime, ndër to gati 70 % të pambajtura. "11 prej tyre rezultojnë të realizuara, 6 pjesërisht, 3 pjesërisht të parealizuara dhe 41 të parealizuara. Por ka edhe vepra të ndërtuara, megjithëse nuk ishin premtuar si rruga e Elbasanit. Kjo tregon se më tepër se improvizohet gjatë qeverisjes." Vërtetëmatësi, është një praktike e themeluar në SHBA, mbështetur në parimin se në politikë nuk ka të vërteta absolute, pasi politikanët kanë gjithmonë tendencën të bëjnë deklarata apo premtime mbi fakte të paqena apo pjesërisht të vërteta.