"Shqipëria voton për zgjedhjet parlamentare, që shihen si test kyç për progresin e vendit drejt Bashkimit Europian."
-Është ky refreni kryesor i raportimeve më të fundit të mediave më të rëndësishme ndërkombëtare, për procesin zgjedhor në Shqipëri.
Rrjeti i njohur televiziv "BBC" raporton se fushata elektorale ka qenë mjaft e hidhur dhe se ka patur akuza për shit-blerjen e votës.
"BBC" nuk lë pa përmendur edhe mosmarrëveshjet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që sipas saj, mund të bëjë që rezultati të jetë i dyshimtë.
Agjencia e njohur e lajmeve "Reuters", në pasqyrimin e saj, e vë theksin te bashkimi i së majtës në këtë garë. "E majta kërkon të largojë Berishën. Në një proces të tensionuar", raporton "Reuters". Sipas kësaj mediaje, procesi po vëzhgohet nga afër nga shumë përfaqësues ndërkombëtarë, më shumë për ecurinë se sa për rezultatin. Edhe kjo agjenci, nuk lë pa përmendur problematikën me KQZ-në. Për agjencinë tjetër të lajmeve "Associated Press", shqiptarët votojnë për të kujtuar lidhjet me botën e jashtme. Sipas "Associated Press", votimet janë test kyç për të provuar aftësinë e vendit për të mbajtur zgjedhje të ndershme. Shkrimit të "Associated Press" i është referuar edhe gazeta e njohur amerikane "Washington Post".
Agjencia franceze "AFP", artikullit të së cilës i referohet edhe rrjeti i njohur televiziv amerikan "Fox News", shkruan se zgjedhjet e ditës së sotme, janë një mundësi për t'iu afruar BE-së, për një nga vendet më të varfra të Europës.
Ndërsa bën një panoramim të situatës parazgjedhore dhe të zhvillimeve politike të viteve të fundit në Shqipëri, edhe "AFP" e vë theksin te ngërçi në KQZ.