http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Konferenca e Kryetarëve, organi i lartë vendimmarrës i Kuvendit pritet të përcaktojë në fund të kësaj jave mënyrën e funksionimit të Parlamentit të ri. Burime zyrtare pranë grupeve kryesore parlamentare, të kontaktuar nga vizion plus, thanë se nuk ka një projekt për të ndryshuar thellësisht funksionimin e jetës së Kuvendit. Sipas rregullores, miratuar me kompromis nga gjitha palët, do të mbeten 8 Komisione përgjegjëse, për diskutimin e ligjeve që vijnë kryesisht nga qeveria, por pa përjashtuar edhe nisma të vetë zgjedhësve. Nga qeveria "Berisha" kanë mbetur pa u shqyrtuar 16 projektligje, fati i të cilave është në dorën e shumicës së re. Ndër to edhe "Buxhti faktik" për 2012. 5 prej tyre pritet të drejtohen nga mazhoranca, 4 PS e 1 LSI, ndërsa opozita e djathtë do të marrë drejtimin e 3 komisioneve. Socialistët do të kryesojnë Komisionin e Ligjeve, të Ekonomisë dhe Sigurisë. Burimet sqarojnë se parlamenti do të ruajë traditën e mbledhjes 1 herë në javë, ditën e enjte, deri në kohën kur mund të rritet ngarkesa e projektligjeve apo akteve. Partitë ende nuk kanë depozituar emrat e deputetëve që do të jenë anëtarë të Komisioneve. Përzgjedhja e emrave për natyrën e komisionit, motivohet me përvojën apo arsimimin e deputetëve. Por gjithçka do të varet, nga llogaritë e shumicës për të ruajtur mazhorancën në këto Komisione, me largimin e deputetëve - ministra. Të gjitha grupet do të kenë mbledhje këtë javë, ku vendimet më kryesore mbeten propozimet për drejtues Komisioni. Mazhoranca duhet të përzgjedhë edhe 2 emrat për nënkryetar Kuvendi, ku mësohet se 1 vend do ti lihet aleatit Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së. LSI ka marrë drejtimin e organit më të lartë legjislativ, demokratët njërin nënkryetar, Edmond Spaho. Edhe pse rregullorja e Kuvendit, parashikon që një grup parlamentar duhet të ketë 7 deputetë, vec PS, PD e LSI, grup do të kenë edhe PR e Mediut me 4 mandate dhe PDIU e Idrizit me 5, duke huazuar deputetë nga aleatët demokratë.