http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Sapo futesh në komunën Rrajcë, në fshatin Urak që shtrihet përgjatë rrugës për në Qafthanë, nuk mund të mos ndeshesh befas me një pamje të veçantë. Në një gjatësi rruge prej 500 metrash janë të vendosur 26 pika lavazhi, që janë kthyer në burimin kryesor për mbijetesën e rreth 80 familjeve të këtij fshati. Altini, 13-vjeçar është një prej atyre që ditën e nis dhe mbyll këtu në rrugë, duke pritur që makinat të ndalojnë për t'u larë te lavazhi ku ai është i punësuar. Bashkë me të, bankat e shkollës i kanë braktisur edhe fëmijë të tjerë, që e shohin këtë punë, si të vetmen mundësi për të mbajtur me bukë familjet e tyre. Në këto aktivitete të paligjshme punojnë zakonisht të rinjtë e zonës, ndërsa disa prej tyre kanë ardhur nga emigracioni dhe nuk shohin asnjë mundësi për t'u zënë me punë. Lavazhet e njohura të Urakës, punojnë prej vitesh duke përdorur ujë të pijshëm që merret nga burimet aty pranë. Në këtë pjesë rruge kalojnë përditë zyrtarë dhe qeveritarë të niveleve të ndryshme, por duket se të gjithë jemi mësuar me këtë pamje dhe punën e këtyre njerëzve. Komuna e Rrajcës që administron këtë territor nuk është në gjendje të marrë nën kontroll këtë biznes, ndërsa për vetë relievin ky segment bëhet shpeshherë shkak për aksidente.