http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Varfëria për pak u ka marrë jetën dy të rinjve nga fshati Beragozhd i Pogradecit. Pasditen e së hënës Ardian Hamolli dhe Sokol Fraholli kanë hyrë në një nga galeritë e ish-minierës së qymyrgurit në këtë fshat për të nxjerrë që andej hekur dhe materiale të tjera nga miniera, për ta shitur më pas për skrap. Që të dy të rinjtë kanë mundur të dalin në orët e para të ditës nga miniera, pa probleme me shëndetin. Ardian Hamolli është shoqëruar në polici, ndërsa për këtë ngjarje janë angazhuar forca të policisë si dhe grupet avaro-shpëtuese të minierave. Shefqet Hamolli, babai i Ardianit 21-vjeçarit që ka mbetur për më shumë se 12 orë në një nga galeritë e kësaj miniere, tregon se familja e tij prej 6 anëtarësh jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, me vetëm një pension minimal. Por ai thotë se kurrë nuk do ta linte djalin që të rrezikonte jetën në këtë mënyrë. Si këta dy të rinj, në këtë zonë ka shumë persona që përditë marrin rrugën drejt galerive të braktisura. Edhe për banorët e kësaj zonë, minierat janë të rrezikshme. Sipas tyre, dikush duhet të kujdeset për minierat. Fenomeni shqetëson edhe drejtuesit vendorë atje. Kryetari i komunës së Dredhasit, Genci Hamolli, kërkon që ndërmarrja e minierave t'i nxjerrë këto galeri krejt jashtë funksionit. Minierat e kësaj zone kanë më shumë se 20 vite që janë mbyllur, por galeritë e dikurshme janë shfrytëzuar gjatë gjithë kohës nga banorët e zonës, për të nxjerrë nga thellësitë e tokës, shina, pjesë vagonësh apo materiale të tjera prej hekuri që më pas I shesin për skrap. Vetëm një vit më parë një 30-vjeçar ka humbur jetën brenda galerive të minierës së Verdovës në Pogradec.