Hetimi për shkeljet e ish-ministrit Imami - News, Lajme - Vizion Plus

VizionPlusAlbania 2015-11-24

Views 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministrja e Mbrojtjes ka ngritur grupe të posaçme auditimi për aktivitetin e këtij institucioni, gjatë drejtimit të tij nga ish-ministri Arben Imami. Hetimi administrativ është shtrirë në katër drejtime. Burime pranë kësaj ministrie thanë për Vizion Plus, se po kontrollohet gjithë procedura e emërimeve, transferimeve apo gradimeve në radhët e forcave ushtarake. Akuzat për afera në radhët e shtabit, gjatë periudhës që ministria drejtohej nga Imami kanë qenë të shpeshta. Në kabllogramet e ambasadës amerikane është përmendur edhe fakti që paguheshin para nën dorë, për të favorizuar ushtarakë që shkonin në misione paqeruajtëse. Një tjetër skandal, i denoncuar nga opozita e kohës dhe media, lidhet me dyshimet për përgjimet e socialistëve dhe diplomatëve të huaj nga shërbimi inteligjent i kësaj ministrie. Çështja e shitjes së pronave po auditohet nga një grup i posaçëm, i ngritur nga ministrja e mbrojtjes Kodheli. Aferat nisin me nxjerrjen në shitje të mbi tre mijë metrave katrorë tokë në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes, në zonën e Ksamilit, me çmim qesharak, por edhe qindra hektarë te tjera në zona turistike.  Edhe shitja e armëve, madje deri në shtete nën embargo, është një çështje që po investigohet nga auditues të ministrisë. Këto burime i thanë Vizion Plus se pas verifikimit administrativ, do të depozitojnë në organin e akuzës çdo dyshim të dokumentuar për të thelluar hetimin. Dosja e parë voluminoze për ish-ministrin Imami dhe katër vartës së tij tashmë është në duart e Prokurorisë. Bëhet fjalë për abuzime që shkojnë deri në 1 milion dollarë, për shpërndarjen e reklamave në mënyrë preferenciale, duke shpërdoruar detyrën dhe prishur barazinë në tenderë. Një ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në një intervistë për "Dojce welle" tha, se korrupsioni që kishte përfshirë nivelet më të larta të ministrisë së mbrojtjes kishte krijuar shqetësim deri edhe në NATO.

Share This Video


Download

  
Report form