http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Përfundimi i festave të krishtlindjes dhe vitit të ri shënon edhe fundin e pushimeve të emigrantëve që kthehen në vendlindje për këto festa. Në ditët e para të këtij viti ka filluar edhe kthimi i emigrantëve për në vendet e tyre të punës, ndërkohë që në ditët në vijim ky fluks pritet që të jetë edhe më i madh. Vetëm në 24 orët e fundit janë rikthyer në Greqi nëpërmjet Kapshticës afro 7 mijë shtetas shqiptarë, ndërkohë që ky numër shkon në më shumë se 10 mijë në 48 orët e fundit. Për të mos krijuar problem në dalje, nga ana jonë e kufirit janë marrë të gjitha masat dhe po punohet me gjashtë sportele. Autoritetet tona të kufirit paraditen e sotme kanë pasur kontakte me palën greke, dhe iu kanë kërkuar atyre shtimin e personelit të shërbimit dhe të numrit të sporteleve. Sipas statistikave të policisë kufitare, 44 mijë persona kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë nga data 20 deri me 30 dhjetor të viti 2013, numër ky më i madh se në dy vitet e tjera. Për të njëjtën periudhë, në vitin 2011 në këtë pikë të kalimit kufitar kanë hyrë 41 mijë persona, ndërsa në vitin 2012 afërsisht 37 mijë emigrantë të cilët jetojnë e punojnë në vendin fqinj. Ulja e numrit të emigrantëve që erdhën në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit në dy vitet e kaluara, erdhi si pasojë e krizës në vendin fqinj çka bëri që emigrantët në Greqi të festojnë atje. Ndërkohë, ulja e tarifave nga disa shoqëri udhëtimi dhe fakti i heqjes së regjimit të vizave me Greqinë, bëri që në dy vitet e kaluara, një numër i madh shqiptarësh të festonin me të afërmit e tyre në Selanik, Athinë dhe qytete të tjera greke. Por kjo traditë e uljes së çmimeve nga shoqëritë e transportit të udhëtarëve nuk vazhdo sivjet, çka çoi në rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë që erdhën në atdhe për të kaluar festat. Ndërkohë edhe në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër ka vijuar sot normalisht kthimi i emigrantëve për të vendet e tyre të punës në Greqi. Sipas statistikave të policisë kufitare atje, 6684 emigrantë shqiptarë janë rikthyer në shtetin fqinj nëpërmjet kësaj dogane, ndërkohë që në ditët në vijim ky numër pritet të rritet, sidomos gjatë fundjavës. Policia shqiptare ka marrë masat për të mos krijuar radhë në anën tonë, ndërkohë që iu është kërkuar autoriteteve greke që të mos krijojnë vonesa gjatë kontrollit të dokumenteve të emigrantëve shqiptarë që shkojnë për në vendet e tyre të punës në Greqi