http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Emocionet e skenës për të ishin jetike, ashtu siç do të deklaronte vetëm dy muaj më parë në një prej intervistave të tij të fundit në Vizion Plus Skënder Sallaku. Aktori i njohur i humorit është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, në moshën 79-vjeçare pas një sëmundje të rendë, duke u bërë kështu i katërti personalitet i dashur i artit vendas, që humbim në harkun kohor të dy javëve, pas Laver Bariut, Ibrahim Madhit dhe Vaçe Zelës. I lindur në Tiranë, në 1935, "Artisti i Merituar" pati fillimet e tij në artin e cirkut. Në vitet 1954 ai u aktivizua me grupin e Estradës së Kufirit si aktor, por vetëm në 1957 Sallaku hyn si aktor në Estradën e shtetit ku punoi dhe krijoi qindra role deri në fund të vitit 1990. "Oreksi i Madh", "Revolja e Humbur", "Gjuetia e Fundit", "Cirku në fshat" apo "Kur hiqen maskat" kanë qenë disa nga pjesët ku Skënder Sallaku ka pasur role, batutat e të cilëve i njohim të gjithë. Por, në karrierën e tij të gjatë aktori ka meritën e të qenit edhe klouni i parë i Cirkut tonë si dhe kampion kombëtar në Mundje, në vitet 1959-1960. Sallaku mbante titujt "Artist i merituar", "Artist i popullit" dhe "Mirënjohja e qytetit të Tiranës". Homazhet në nder të tij do të zhvillohen të mërkurën në Teatrin Kombëtar, nga ora 10:00 deri në mesditë.