http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kjo tabelë, e vendosur diku në aksin rrugor Korçë-Ersekë, tregon se në të djathtë të kësaj rruge ndodhet fshati Vithkuq, një nga zonat më të njohura turistike në të gjithë juglindjen. Por, kjo rrugë e amortizuar bën që gjithkush të mendohet mirë përpara se të vendosë të kalojë një fundjavë në fshatin jo vetëm turistik, por edhe të njohur për trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore. Kështu i ndodh dhe Gjergji Qirjos, që bashkë me disa të tjerë ka ardhur nga Korça për të kaluar fundjavën në Vikthuq. Veç natyrës së bukur, pozicionit gjeografik dhe mikpritjes tradicionale, Vithkuqi ka një pasuri të lakmuar kulturore dhe disa momente e lidhin atë më historinë tonë. Në këtë fshat ka lindur autori i abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi, por për këtë patriot nuk ka një shtëpi muze. Por, Vithkuqi është i njohur veçanërisht për Kishat dhe varrin e pagëzimit. Gjithsej fshati ka pasur 24 kisha, tani ka vetëm 14 të tilla, gjashtë prej ë cilave janë monumente kulture të kategorisë së parë. Rreth 300 vjet më parë, fshati ka pasur shtatë lagje dhe kishte 24 mijë banorë, ndërkohë që sot këtu jetojnë vetëm 1200 banorë. Gjatë 20 viteve të fundit, shumë prej vithkuqarëve janë larguar në emigracion ose drejt Korçës apo qyteteve të tjera, pasi fshati i tyre u la pas dore. Ata që kanë mbetur këtu nuk investojnë dot për ta kthyer këtë fshat me të vërtetë në zonë turistike, për shkak të problemeve me pronësinë. Por ka edhe vithkuqarë, që vazhdojnë të kujdesen për fshatin e tyre dhe ta bëjnë atë një nga mundësitë e turizmit për rajonin e Korçës. Vasil Shoren e gjejmë pranë oxhakut në lokalin e tij të zbrazur, edhe pse është fundjavë. Në këtë fshat ka vetëm tre lokale dhe asnjë hotel, çka tregon se dhe vetë banorët, por edhe të interesuar të tjerë për turizmin këtu e kanë të vështirë të investojnë për shkak të rrugës dhe problemeve me pronësinë. Zyrtarë të komunës thonë se kanë paraqitur prej vitesh projektet e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Në kushtet kur Vithkuqi nuk ka asnjë investim për rrugën apo edhe lokale dhe hotele për të plotësuar kërkesat e turistëve, këtyre të fundit iu mbetet që fundjavat apo ditët e pushimit t'i kalojnë në Voskopojë dhe Dardhë, aty ku iu ofrohen kushtet e plotësuara.