http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kalaja e Lezhës, e cila deri para pak muaj më parë ndriçohej kështu gjatë natës, falë një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, tashmë nuk zhytet nën errësirë dhe nuk bie aspak në sy sapo mbi qytet bie nata. 6 muaj më parë, Vizion Plus ka ngritur shqetësimin e mospagesës së faturave të energjisë nga bashkia Lezhë, ndërkohë që sot kryetari i saj, Viktor Tushaj, thotë se institucioni që ai drejton nuk mund të vazhdojë të paguajë faturat e "Cez"-it për kalanë ndërsa ajo menaxhohet nga ministria e Kulturës. Në fakt mes "Cez Shpërndarje" dhe bashkisë së Lezhës ka një kontratë për detyrimet e energjisë elektrike edhe për kalanë, por administrata lokale nuk e shlyen atë prej muajsh, në pritje të gjetjes së një zgjidhjes mes bashkisë dhe ministrisë së Kulturës. Investimi që përfundoi në nëntor 2012 u konsiderua i suksesshëm në atë kohë, por thuajse një vit e gjysmë më pas, kreu i bashkisë thotë se standardet e ndriçimit nuk janë të duhurat. Pavarësisht këtyre problemeve dhe përplasjeve mes institucioneve shtetërore për shlyerjen e faturave të energjisë, Kalaja e Lezhës qëndron si një kurorë mbi qytetin antik, duke ngjallur interes tek vizitorët vendas dhe të huaj. Qarku i Lezhës, ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit, pasi në këtë rajon ndodhen 34 monumente natyre dhe 21 objekte kulti, muzeale, arkeologjike dhe historike. Këto e pozicionojnë Lezhën si një qytet të rëndësishëm turistik, e megjithatë problemet e krijimit të infrastrukturës mbeten lehtësisht evidente.