http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Deri pak vite më parë në këto ambiente stërviteshin ushtarë, ndërsa prej gati një dekade kjo është shkolla ku bëjnë mësim nxënësit e lagjes Dyli Haxhire në periferi të qytetit të Elbasanit. Siç shihet nga pamjet, godina e ish-repartit ushtarak nuk ofron asnjë kusht për zhvillimin normal të mësimit në shkollën 9-vjeçare "Xhaferr Hakani", ku jo vetëm nuk ka internet, siç kanë premtuar qeveritarët tanë në vite, por nuk ka as laboratorë, as palestër dhe madje as banka për të gjithë nxënësit. Shumica e tyre ulen nga tre veta në një bankë, ndërkohë që vështirësia për t'u përqendruar në mësim është më e madhe kur sheh se në këto ambiente nuk ka asnjë kusht minimal për higjienën, kur muret janë gjithë lagështi dhe kur poshtë këmbëve të nxënësve ka ujë sa herë që bie shi. Në këtë godinë të përshtatur në shkollë mësojnë 309 nxënës. Jashtë kameras drejtoresha e shkollës thotë se është e detyruar që regjistrat dhe dokumentacionin zyrtar të marrë përditë në shtëpinë e saj, pasi këtu nuk ka as zyrë për të dhe as sallë mësuesish. Pak vite më parë, janë dhënë 20 milionë lekë për ndërtimin e një godine të re për këta nxënës, por ajo edhe pse është mbaruar së ndërtuari nuk merret në dorëzim sepse firma nuk ka marrë lekët për punën e bërë. Në këto kushte godina që pret nxënësit rri bosh dhe mund të dëmtohet, ndërsa nxënësit vijojnë të mbeten peng i burokracive të bashkisë dhe ministrisë së Arsimit, që nuk bëjnë të mundur dhënien e parave për firmën ndërtuese. Ndërkohë, qindra nxënës në qarkun e Lezhës mësojnë në kushte të papranueshme higjieno-sanitare. Tualete pa ujë, pa dyer, pa çezmë dhe me mungesë deri të detergjenteve janë pjesë e përditshmërisë të fëmijëve në disa gjimnaze. Drejtoria e Shëndetit Publik në kontrollet e ushtruara ka evidentuar mungesa që cenojnë shëndetin e nxënësve dhe të kolektivit të mësuesve. Një ndër shkollat me problemet më të mëdha është ajo 9-vjeçare "Gjergj Kastrioti" në qendër të qytetit. Drejtoresha Dila Marku tregon se, kërkesat e saj për mirëmbajtje kanë qenë të mëdha, por situata ka mbetur e njëjtë. Në të tilla kushte, kreu i arsimit Bardhok Pulaj thotë se shumë prindër janë ankuar e megjithatë situata paraqitet më e mirë ne shkollat e fshatrave se sa në qytet. Drejtoria e Shëndetit Publik në Lezhë para pak ditësh mbylli kopshtin "Besëlidhja" për disa ditë pasi nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare.