Kontrolli i perimeve në sera - News, Lajme - Vizion Plus

VizionPlusAlbania 2015-11-25

Views 3

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Konsumimi i prodhimeve të stinës nga fushat e Myzeqesë është bërë një nga diskutimet më të shpeshta në familjet tona, ndërkohë që pak ditë më parë Ministri i Bujqësisë deklaroi se do të ketë ndëshkime të forta për farmacistë bujqësore që shesin medikamente të ndaluara për fermerët. Më të prekurit nga këto diskutime janë sigurisht fermerët, të cilët thonë se propaganda për përdorimin e tepruar të hormoneve dhe dalja në treg e produkteve pa kryer analizat e domosdoshme, dëmton seriozisht prodhimin e tyre. Astrit Ruko është një fermer në zonën e Strumit në Fier, që ka një serë për prodhimin e kastravecit. Ai thotë se e vetmja mënyrë për të garantuar konsumatorët por edhe për të qenë vetë i sigurt në produktin që shet, është punësimi i agronomëve dhe marrja e këshillave prej specialistëve. Aludimet për përdorimin pa kriter të hormoneve në prodhimet e ndryshme bujqësore, kanë nxjerrë në terren specialistë të autoritetit kombëtar të ushqimit. Ata kanë dërguar në Tiranë kampionët e prodhimeve për të kryer analizat, të cilat në fund të javës do të japin përgjigje nëse prodhimet e fermerëve në këtë zonë janë të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve apo jo. Ndërkohë, sipas specialistit të bujqësisë, Et'hem Bidaj, garancia e konsumatorit qëndron në kontrollin ndaj farmacive bujqësore dhe lidhjen e fermerëve me agronomët. Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që prodhimet e zonës së Myzeqesë përfliten si të dëmshme për konsumatorin, ndërsa në fund të vitit të kaluar ishte Maqedonia që tentoi të bllokojë shitjen e produkteve të kësaj zone në rajon. Sipas agronomit të vjetër, Bidaj, kjo është një propagandë e koordinuar për shkak të rritjes së hapësirave nga prodhimet shqiptare.

Share This Video


Download

  
Report form