http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pronarët e një pike karburanti në fshatin Rrënzë komuna Hekal të Mallakastrës janë përplasur sot me inspektorët e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, të cilët po prishnin një pike karburanti dhe një lokal pranë saj, si pjesë e ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Por një grup banorësh së bashku me pronarin e këtij objekti kanë reaguar dhunshëm ndaj forcave të policisë. Për të normalizuar situatën janë angazhuar forcat e policisë si dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë që kanë shoqëruar protagonistët e kësaj ngjarje. Sipas banorëve, ata kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërkohë që kjo nuk konfirmohet nga njoftimi zyrtar i INUK. Sipas INUK banorët goditën me mjete të forta inspektorët duke dëmtuar disa prej tyre. Pavarësisht kundërshtimit të banorëve, mjetet e rënda të INUK nisën punën për shkatërrimin e objektit pa leje. INUK ka nisur të premten aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në aksin Levan-Tepelenë-Gjirokastër, ndërsa ky aksion u lajmërua në media edhe nga ministrja Gjermeni. Në këtë segment janë identifikuar 50 objekte të paligjshme, ndërsa një pjesë e të cilëve tashmë është shkatërruar. Ndërkohë, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, Zyhdi Dajti i cili ndodhet në krye të operacionit në këtë segment rrugor, deklaroi se pronarët janë njoftuar 3 ditë përpara për prishjen e objektit. Sipas tij operacioni në akset rrugore kombëtare për prishjen e objekteve pa leje anës rrugës do të vazhdojë për të siguruar lëvizjen e lirë të automjeteve.