http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tre policë të patrullës kufitare janë plagosur pasi ranë pre e një sulmi me armë zjarri në komunën e Zubin Potokut në Veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Për pasojë policët janë lënduar, ndërsa njëri prej tyre, Oliver Kuzmanoviç është në gjendje të rëndë për jetën. Ky i fundit, gjendet në spitalin e Mitrovicës. Ai ka marrë plumba në bark dhe kraharor. Ende nuk dihen motivet e sulmit të patrullës, por besohet se ai ka motive etnike. I menjëhershëm ka qenë reagimi i zyrtarëve të lartë në Prishtinë. Presidentja, Ahtifete Jahjaga, ka dënuar dhunën në Zubin Potok, duke e cilësuar atë si një akt përpjekje për të penguar funksionimin e rendit demokratik dhe të sundimit të ligjit në Kosovë. Sulmi në veri erdhi pak pas përfundimit të bisedimeve mes dy kryeministrave, Thaçi e Daçiç në Bruksel. Palët nuk arritën të nënshkruanin një pakt. Marrëveshjet e arritura gjatë vitit 2013, bënë që në fund të vitit të kaluar komunat veriore më shumicë serbe të përfshihen në zgjedhjet për pushtetin lokal të organizuara nga Prishtina. Ato synojnë vendosjen e sundimit të ligjit në atë zone. Por nga ana tjetër përfaqësuesit e së ashtuquajturës "vijë e fortë", nuk pajtohen me përfshirjen e veriut nën kontrollin e Prishtinës.