http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Partia Demokratike e Kosovës rezultoi fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë. Lëvizja "Vetëvendosje", shënoi rritje të vogël në këtë garë, por jo aq sa dëshironte. Kjo parti, e cila kurrsesi nuk pranon të bëjë pjesë në një koalicion qeveritar me PDK-në, është e vendosur të vijojë aksionin e fortë opozitar. Për "Vizion Plus", kryetari i "Vetëvendosjes", Albin Kurti, rrëfen se forca që ai drejton do të përpiqet të mos lejojë krijimin e qeverisë së re, me në krye PDK-në. Dhe për këtë ai thotë se ka nisur kontaktet me të gjitha forcat e tjera, si LDK, AAK apo Nisma për Kosovën, që t'ia arrijnë qëllimit. Në këtë mënyrë, Kurti i hap rrugën një nisme që në thelb synon një bashkim të të gjitha partive të tjera parlamentare, kundër PDK-së dhe nëse nuk arrijnë të bashkohen në koalicion, të paktën të mos i krijojnë mundësinë Thaçit për formimin e qeverisë së re, duke e çuar vendin në zgjedhje të reja. Sa i takon qëndrimit kritik të ndërkombëtarëve ndaj veprimeve radikale të "Vetëvendosjes", Kurti shprehet se jo gjithmonë duhet të shihen si vlerë disa shtete por, edhe si bashkim interesash. Në fund, Albin Kurti, tregon se vijon të besojë fort në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që sipas tij, pengohet vetëm nga qeverisjet e dobëta në të dy anët e kufirit.