http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Demokracia në Shqipëri shënon përparim gjatë këtij viti. Organizata "Freedom House", me bazë në SHBA, publikoi raportin vjetor "Vendet në Tranzicion", mbi proceset demokratike në 29 vende në zhvillim, në rajonin e Europës Qendrore dhe Euroazisë. Në dokument theksohet se vendi ynë shënoi rritje pozitive për herë të parë që prej vitit 2008. Në total, Shqipëria merr një vlerësim me notën 4.18. Vlerësimi i "Freedom House" bëhet me notat nga 1, që është më pozitivja, në 7, që është më negativja. Vitin e kaluar, Shqipëria mori notën 4.25. Kjo, sipas "Freedom House", falë zgjedhjeve parlamentare konkurruese të qershorit të vitit të kaluar dhe transferimit të qetë të pushtetit. Në raport, kritikohet qeverisja e ish-kryeministrit Berisha për autoritarizëm, sidomos në mandatin e dytë. "Vendi ka vuajtur hapat pas gjatë mandatit të dytë të Sali Berishës si kryeministër, ndërsa ai dhe Partia Demokratike, u përpoqën që të konsolidojnë autoritetin e tyre përmes emërimeve politike në gjyqësor, në Presidencë dhe në pozita të tjera kyçe." Drejtoresha e këtij raporti, Silvana Kolaçzkovska, në një intervistë për "Zërin e Amerikës", tha se qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma, për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit, të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha. Kolaçzkovska thekson se një nga problemet më të mëdha për drejtësinë në Shqipëri mbetet mungesa e llogaridhënies nga ana e zyrtarëve të lartë.