http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Marrëveshja që ka Shqipëria me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk është prishur, ndërkohë që Shqipëria do të marrë në fund të tetorit këstin e radhës së kredisë nga fondi prej 26.5 milion euro. Ministri i financave Shkëlqim Cani, duke iu përgjigjur interesit të medias tha se diskutimet me misionin e FMN-së që vizitoi Tiranën disa ditë më parë kanë patur interesa të ndryshme në drejtimet që do të ketë buxheti i rishikuar i këtij viti dhe ai i 2015-ës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të disbursohet kredia. Shkëlqim Cani ka pranuar se disa taksa nuk janë mbledhur në masën e pritur, dhe sqaroi se ministria është duke marrë në analizë shkaqet që kanë ndikuar. Sipas tij pavarësisht të gjithave, të ardhurat në buxhet janë me rritje, jo vetëm krahasuar me një vit më parë por edhe me pritshmëritë. Me buxhetin e rishikuar qeveria rishpërndau edhe njëherë fondet në disa buxhete ministrish duke i dhënë këtë herë më shumë prioritet rrugëve. Ndërsa 32 milion dollarë më shumë të mbledhura në 7 muajt e parë të vitit kanë shkuar për të ulur deficitin, një kusht ky i vënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nga ana e saj opozita akuzon se mazhoranca nuk po arrin të mbledhë si duhet taksat që ka rritur dhe se ka ulur ndjeshëm shpenzimet.