http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar zyrtarisht sot mediave në vend të mos pasqyrojnë aktivitet elektorale që partitë kanë nisur në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit. Kjo kërkesë absurde justifikohet prej faktit se sipas KQZ-së, partitë shqiptare po shkelin Kodin Zgjedhor dhe kanë nisur fushatën më herët se data 22 maj, kur ajo nis zyrtarisht. Për hir të transparencës karshi publikut, Vizion Plus sqaron opinionin se do të transmetojë çdo tubim, takim, aktivitet, ngjarje që është me interes publik, pasi nuk është KQZ ajo, e cila përcakton atë që është e vlefshme për qytetarët, por janë mediat ato të cilat kanë përgjegjësinë e informimit për çfarë ndodh në vend. Kjo logjikë totalitare e bllokimit të transmetimit të ngjarjeve mund të nisë në këtë formë, por nuk është çudi që më pas, për të njëjtat pretekste të bllokohet edhe transmetimi i ngjarjeve të ndryshme, që sipas segmenteve të caktuara mund të konsiderohen të jashtëligjshme. Sipas këtij arsyetimi çdo lloj proteste e pa lajmëruar në polici si ajo e fundit në Kukës, çdo tubim si ai në Mariznë, çdo përplasje e bandave dhe çdo lloj ngjarje tjetër e paligjshme, duhet censuruar. Nga ana tjetër pretendimi i KQZ-së se po shkelet Kodi Zgjedhor është i pavërtetë dhe i pavend. Kodi përcakton sjelljen e partive dhe mediave gjatë fushatës, çka në mënyrë rigoroze ka të bëjë me hapësirën, rregullat dhe kohën që i jepet çdo subjekti apo kandidati në 30 ditë. Por askush në asnjë vend të botës nuk mund të pengojë, fjala vjen, një kandidat që vendos të bëjë 4 vjet fushatë elektorale dhe asnjë media që mendon se pasqyrimi i këtij aktiviteti ka interes publik. Sepse po t?i qëndrojmë krahasimeve, nëse në Shtetet e Bashkuara do të ishte një komision elektoral si ky i yni, atëherë duhet bllokuar edhe fushata kandidates Hillari Klinton, që ka nisur betejën e saj për Shtëpinë e Bardhë 2 vjet përpara zgjedhjeve. Vizion Plus siguron qytetarët se do të vazhdojë misionin e pakompromis të informimit, duke mos marrë parasysh këto kërcënime absurde që vijnë të frymëzuara nga segmente mediatike që ngjarjet politike i kanë parë jo si burim të informimit, por si bonuse financiare për përfitime.