TIRANE - Deri në orën 11:00 të mesditës së sotme Bashkia e Tiranës ka vendosur 18 gjoba për operatorët e shërbimit urban pasi ka konstatuar shkelje. Ndërkohë pas inspektimeve janë shkarkuar nga puna edhe 2 faturino, njëri sepse ishte i dehur dhe tjetri u kërkonte qytetarëve 50 lekë.
...
Bashkia e Tiranës ka nisur sot monitorimin e zbatimit të kushteve të vendosura prej saj për operatorët e transportit urban qytetas, në funksion të përmirësimit të shërbimit. Nga verifikimi në terren i inspektorëve të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash administrative për disa nga linjat qytetëse që nuk kanë respektuar kushtet.
Deri në orën 11.00 janë vendosur 18 gjoba gjithsej, si dhe janë larguar nga detyra dy punonjës të Linjës së Unazës dhe Linjës së Sharrës, për sjellje të keqe me qytetarët.
Gjobat e vendosura nga inspektorët e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit përfshijnë: mosrespektim të frekuencave në stacionet e autobusëve, vonesa në lëvizjen e autobusëve, probleme me sistemet e ngrohjes të mjeteve, si dhe probleme të tjera që lidhen me dëmtime brenda mjeteve.
"Bashkia e Tiranës dëshiron të theksojë edhe një herë se respektimi i 10 kushteve të vendosura prej saj do të monitorohen çdo ditë dhe në mënyrë rigoroze nga AMK-ja dhe Policia Bashkiake. Nuk do të hezitojmë aspak në marrjen e masave administrative dhe vendosjen e gjobave për cilëndo kompani që do të shkelë kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Gjithashtu, ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo problem lidhur me shërbimin e transportit urban në kryeqytet", thuhet ne njoftimin zyrtar te bashkise.