Report TV - Denoncoi rryshfet në drejtësi atentat biznesmenit nga Fieri

Report TV 2016-02-09

Views 3

TIRANE - Biznesmeni në fushën e karburanteve dhe ndërtimit, i cili dy vjet më parë denoncoi publikisht korrupsionin në drejtësi, këtë të martë u bë pre e një atentati, por një gabim i autorëve i ka shpëtuar atij jetën. Pakoja me një sasi të vogël eksplozivi mbështjellë me natriban dhe e lidhur me celular ishte montuar në pjesën e poshtme të shasisë së automjetit të Nuredin Sulit, i cili e kishte të parkuar në garazhin e "Kristal Center" tek Komuna e Parisit. Biznesmeni 53-vjeçar nga Fieri prej vitesh jeton në bllokun e pallateve pranë qendrës tregtare në Tiranë së bashku me familjen e tij.

Këtë paradite, Suli ka marrë makinën e tij "Mercedes Benz" me targë "AA 667 GT" dhe kur ka lëvizur pak metra deri në pjesën dalëse të parkimit nëntokësor, pakoja me lëndën plasëse ka rënë. Biznesmeni njoftoi menjëherë policinë. Forcat xheniere bënë të mundur shpërthimin e kontrolluar të pakos, nga ky rezultoi se lënda eksplozive e vendosur në të ishte në një sasi të vogël.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, Nuredin Suli është i skeduar nga policia dhe me precedentë të mëparshëm kriminalë. Një vit më parë në qytetin e Patosit, Suli ka qenë synim i një atentati tjetër për arsye hasmërie.

Kjo ngjarje krijoi panik dhe ngriti në alarm policinë për shkak të ambientit të populluar brenda qendrës tregtare. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm ndaj qytetarëve, të gjitha dyqanet u mbyllën dhe të pranishmit u evakuuan nga ambientet e "Kristal Center". Shpërthimi i lëndës eksplozive fatmirësisht nuk u realizua nga autorët, por nga forcat xheniere.

Hetimet e policisë për vendosjes e pakos me eksploziv janë përqendruar në pistën e hakmarrjes, për shkak të historisë së vrasjes së vëllait të biznesmenit në vitin 2011 dhe denoncimit të Nuredin Sulit se autorët e dyshuar i kishin paguar 100 mijë euro prokurores që t'i jepte tjetër rrjedhë çështjes.

Share This Video


Download

  
Report form