TIRANË - Kompanitë e lojërave të fatit duke nisur nga dje deri më 31 dhjetor 2016 duhet të marrin masat për ndryshimin e vendndodhjes. Ligji i ri për organizimin e lojërave të fatit tashmë ka hyrë në fuqi. Në të përcaktohet se 100 metër pranë institucioneve të besimeve fetare, të universiteteve dhe nga bankave nuk lejohen pika të lojërave të fatit.
Në përcaktimet e ligjit për lojërat e fatit janë vendosur dhe ndryshimet e tarifave që do të duhet të paguhen. Përsa i përket organizatorëve të lojës bingo, që zhvillohet për pjesëmarrës, brenda sallës, do të paguhet me një kuotë fikse çdo muaj, për çdo sallë, përkatësisht, 500 000 lekë për rrethet e kategorisë së parë, 400 000 lekë për rrethet e kategorisë së dytë dhe 300 000 lekë për rrethet e kategorisë së tretë.
Përsa i përket organizatorit të lojës bingo televizive, që nuk zhvillohet për pjesëmarrës brenda sallave, paguan tatim për lojërat e fatit 10 për qind mbi vëllimin e qarkullimit, të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave. Organizatori, për çdo lojë, duhet t?u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.