VLORE - Një gomone 10 metër e gjatë që dyshohet se do të përdorej për trafik droge është sekuestruar nga policia kufitare në grykëderdhjen e Vjosës. Mjeti është gjetur i fshehur, ndërkohë që po punohet për identifikimin e pronarëve të këtij mjeti. Dyshohet se mjeti kishte ardhur nga Italia për tu ngarkuar me lëndë narkotike
Një gomone e fuqishme me dy motorë u zbulua nga policia mbrëmjen e së dieles në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës, konkretisht në fshatin Bishan të Vlorës ku ishte e fshehur në një vend jo të frekuentuar. Gomonia ishte 9.5 metra e gjatë dhe secili prej motorëve Yamaha kishte 350 kuaj fuqi.
Policia dyshon se mjeti lundrues do të përdorej për transportimin e lëndëve narkotike në rrugë detare dhe është gjetur nga ekspertët e policisë gjatë një aksioni të ndërmarrë në gjithë bregdetin e Vjosës. Gomonia ishte e fshehur dhe e mbuluar me degë peme dhe e kamufluar për të mos rënë në sy.
Sipas burimeve policore gomonia super e shpejtë dhe e fuqishme, mendohet të ketë ardhur nga Italia dhe të jetë fshehur anës lumit në pritje për tu ngarkuar me lëndë narkotike. Policia kufitare ka verifikuar matrikullën e këtij mjeti si dhe të dhënat, dhe sipas tyre ky mjet nuk ka qenë i regjistruar në policinë kufitare.
Sipas policisë, aksioni vijon në gjithë rrjedhën e lumit Vjosë, kryesisht në zonën Novoselë-Hoxhare për të gjetur personat që e kanë fshehur gomonen apo lëndën narkotike që ajo mund të kishte transportuar mbrëmjen e se dieles.
Gomonia u gjet nga një operacion i përbashkët i policisë së qarkut Vlorë, Delta Forcës dhe policisë kufitare.