TIRANE - Kryeministri Edi Rama shkarkon ministrin e Financave Shkëlqim Cani. Në vendin e tij do të kalojë ministri aktual i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ndërkohë vendin e shefit të Ekonomisë do ta zë Milva Ekonomi, zv.ministre e Shëndetësisë. Lajmi u mësua fillimisht nga burime të sigurta për Shqiptarja.com, ndërsa pak momente më pas përmes një deklarate zyrtare kryeministria solli detaje nga ky vendim.
Ishte vetë kreu i qeverisë që e ka njohur Canin me zëvendësimin e tij nga kolegu Ahmetaj, duke e falenderuar njëherësh për angazhimin e tij në drejtimin e një prej dikastereve më të rëndësishme të këtij mandati njëkohësisht edhe më i vështiri. Shefi i mazhorancës i ka kërkuar Shkëlqim Canit të vijojë po më këtë profesionalizëm detyrën e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Cani nuk kishte hequr dorë ende nga mandati i deputetit, siç ministrat e tjerë kanë bërë, ndaj largimi nga kryesimi i Ministrisë së Financave nuk e nxjerr atë në "rrugë", pasi ai do të vijojë të përfaqësohet si deputet.
Nga ana e tij edhe Shkëlqim Cani ka ndarë vlerësime ndaj besimit të dhënë nga kryeministri, duke theksuar se angazhimi i tij politik do të vijojë.
"Ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë", thuhet në njoftim.
Në përfundim thuhet se: Detyrën e Ministrit të Financave, Kryeministri do t'ia besojë Z. Arben Ahmetaj, ndërsa detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do t'ia besojë Znj. Milva Ekonomi"
Milva Ekonomi ka qenë më parë në krye të Institutit të Statistikave.
Këto ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeverisës nuk janë të parat që ndodhin gjatë mandatit të koalicionit të majtë PS-LSI. I fundit ishte dorëheqja e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe emërimi në postin e tij i Ylli Manjani.