TIRANE - Dy efektivë të komisariatit numër 5 dhe gjashtë inspektorë të INUV-it të bashkisë së Kamzës u arrestuan mbrëmjen e së martës nga Policia e Shtetit pasi akuzohen se kanë lejuar mbi 80 ndërtime të paligjshme në zonat e Kamzës, Bërxullës dhe Zall Herrit, në këmbim të parave.
Me urdhër ndalimi të Prokurorisë së Tiranës u arrestuan punonjësit e policisë Fatmir Mulaj dhe Qemal Sinaj, si dhe 6 inspektorët e INUV Afrim Deda, Murat Mena, Arjan Hoxhaj, Petrit Jani, Gazmir Marku dhe Muhamed Korra.
Sipas hetimeve të kryera deri më tani nga organi i akuzës, inspektorët e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor konstatonin ndërtime të paligjshme në ambiente familjare dhe biznesi dhe nuk i raportonin, kundrejt përfitimeve materiale.
"Konstatimi fillestar i kësaj paligjshmërie është realizuar gjatë aksioneve policore të komisariatit nr. 5. Nga verifikimet në terren të forcave policore, kishte rezultuar që të paktën 39 ndërtime të paligjshme nuk ishin konstatuar dhe as referuar nga ana e inspektorëve të INUV-it", thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë.
Pas hetimeve të kryera - thotë organi i akuzës - rezultoi se inspektorët e INUV ishin në dijeni të këtyre ndërtimeve të paligjshme dhe i kishin lejuar me bindje, me qëllimin për të marrë përfitime materiale prej personave që shkelnin ligjin.
"Po ashtu, në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe disa punonjës të Komisariatit të Policisë nr. 5, i cili mbulon zonën e Kamzës, në bashkëpunim me punonjësit e INUV-it, nuk raportonin për ndërtimet e paligjshme, si edhe ndërhynin tek INUV për lejimin e paligjshmërisë nga ana e qytetarëve të ndryshëm. Edhe për punonjësit e Policisë ka dyshime të arsyeshme se këto ndërhyrje i realizonin përkundrejt pagesave nga ana e qytetarëve të ndryshëm që kryenin punime ndërtuese pa leje", - thekson prokuroria.
Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhëra ndalimi, për shtetasit si më poshtë: Punonjës të Policisë
1. Fatmir Mulaj
2. Qemal Sinaj
(Urdhërat e ndalimit të Prokurorisë për këta shtetas janë ekzekutuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave)
Inspektorë të INUV
3. Afrim Deda
4. Murat Mena
5. Arjan Hoxhaj
6. Petrit Jani
7. Gazmir Marku
8. Muhamed Korra
(Urdhërat e ndalimit të Prokurorisë për këta shtetas janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit)