TIRANË- Skandali i fshehjes së parave në Parajsat Fiskale, nga kompanitë offshore, i publikuar nga ?Panama Papers?, ka vënë në lëvizje shtetin shqiptar. Ishte ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i cili tha në një prononcim për mediat se ka nisur puna për ndryshimet e nevojshme ligjore mbi kompanitë offshore.
Manjani iu referua nismës së qeverisë federale të Gjermanisë, kur tha të gjitha kompanitë offshore që do investojnë në Shqipëri, do duhet të bëjnë publike emrat e aksionerëve.
?Ministri i Drejtësisë gjermane ka anoncuar një nismë për shtetin gjerman, që kushdo nga kompanitë gjermane që investon në kompanitë offshore duhet të bëjë publik pronarët. Shumë shpejt nisim bisedimet për të marrë këtë model. Për ta bërë këtë sa më të mundshme edhe në Shqipëri, edhe pasi ta kem konsultuar me ministrin e Financave. Çdo kompani offshore që do të investojë në Shqipëri do duhet që të ekspozojë aksionerët. Kemi nisur punën, për të parë ku duhen bërë ndryshimet ligjore,? tha ministri i Drejtësisë.
Po ashtu ai shtoi se dikasteri që ai drejton është i gatshëm të ndihmojë organet hetimore në lidhje me hetimet për rastet kompanitë e përfshira në skandalin e Panama Papers.