Në 5 maj, Ditën e Dëshmorëve, është përuruar memoriali i ri i heroit të demokracisë Azem Hajdari. Memoriali është vendosur vetëm pak metra larg atij ekzistues, pranë ish-selisë së PD ku ai u vra në vitin 1998.
Pranë memorialit u kryen homazhe nga familjarë, kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, përfaqësues dhe mbështetës të opozitës.
?Nuk kishte si të mungonte urimi për figurën e demokracisë, Azem Hajdarin dhe mikun e tij Besnik Cerën. Ne vijmë sot këtu në këtë monument të ri, jo vetëm me nderimin për heroin tonë, por dhe me betimin se përsëri do ta mundim krimin e veshur me uniformën e shtetit, për t'i dhënë shqiptarëve një Shqipëri demokratike, siç e dëshmuan studentët e Dhjetorit dhe Azem Hajdari. Lavdi përjetë Azem Hajdarit dhe dëshmorëve të demokracisë?, tha Basha.
Ndërsa ish-lideri i demokratëve Sali Berisha teksa nderoi kujtimin e Azam Hajdarit tha se vepra e tij bëri të mundur të gjitha ngjarjet e tjera të mëdha në këto 25 vite demokraci.
'Sot në ditën e të rënëve të kombit jemi këtu për të nderuar njeriun që pas gjysëm shekulli shtypje të egër dhe errësire, tjetërsimi, poshtërimi dhe mjerimi solli tek shqiptarët ditën e gjenezës, të lirive të tyre të dënuara me kushtetutë. Nderojmë Azem Hajdarin që në dhjetor të vitit '90 do të ngrihej si Anteu për t'i bërë shqiptarët të lirë. Së bashku me shoqet dhe shokët e tij studentë do zhvillonin ato ditë dhjetori, betejën më të fuqishme, më paqësore të shqiptarëve për liri. Azemi dhe Besim Cerja ranë si dy vëllezër këtu para selisë së PD të ekzekutuar nga pushteti që Azemi përmbysi me revolucionin e tij demokratik. Por vepra e Azem Hajdarit bëhet gjithnjë e më madhështore, vepra e tij bëri të mundur të gjitha ngjarjet e tjera të mëdha në 25 vitet e fundit. Ajo është dita ku e kanë origjinën arritjet e kombit këto 25 vite," tha Berisha.