Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka diskutuar platformën ekonomike të PD-së me biznesmen dhe tregtarë të Gjirokastrës. Gjatë vizitës së tij, Basha është ndalur në rrugën Kardhiq ? Delvinë, një projekt i nisur nga PD, por i pa përfunduar ende, për të cilin ai tha se do të jetë prioritet i mandatit të tij nëse fiton zgjedhjet e 2017.
"Rrugën Kardhiq-Delvinë e kemi në krye të listës së prioriteteve të zhvillimit të infrastrukturës dhe ne do të investojmë për përfundimin e kësaj rruge", tha Basha.
Më tej Basha ka parë nga afër një rezervat të kultivimit të peshkut në Cepo, ku tha se PD do të ul nga nga 15 në 9% taksën e sheshtë si dhe TVSH-në nga 20 në 15 %.
"Ne do të fillojmë në vitin e parë me 100 milionë dollarë subvencionim të drejtpërdrejtë për sektorin e bujqësisë, agrobiznesin dhe sektorin ushqimor në tërësi dhe përfitues të kësaj do të jenë padyshim edhe rritësit e peshkut,' tha kreu i opozitës.
Kreu i demokratëve nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe familjet në vështirësi ekonomike, si ajo e Sokol Lukës dhe Arben Llavdonitit, ku familja e këtij të fundit prej 3 muajsh nuk ka energji elektrike.
Me këtë rast Basha premtoi se do të ul çmimin e energjisë.
"Çmimi i energjisë do të ulet për të gjithë ata që konsumojnë nën 300 kw. Për familjet në ndihmë ekonomike deri në 200 kë do të jetë pjesë e ndihmës që do të japë shteti. Për familjet që janë siç je ti një familje punëtore ne do të mundësojmë që çmimi i energjisë të jetë i përballueshëm dhe i pagueshëm," premtoi kreu i PD.
Ndërkohë gjatë ndalesës në tregun e Gjirokastrës si dhe në një kompani fasonësh, Basha është shprehur se rritja e pagës minimale, ulja e çmimit të energjisë dhe ulja e moshës së pensionit janë pjesë e platformës së Partisë Demokratike .
Ulja e taksave sipas planit ekonomik të Bashës do të përkthehet në rritje të pagave për punëtorët e sipërmarrjeve në Shqipëri si dhe do të ndihmojë në hapjen e vendeve të reja të punës.