Takimi i ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike në selinë blu, ka përfunduar pas 2 orë e 20 minuta. Kjo ka qenë mbledhja më e gjatë e ambasadorëve, ndryshe nga një ditë më parë, kur takimi me grupin e PS zgjati rreth 40 minuta, ndërsa ai me LSI-në vetëm 20 minuta. Takimi i ambasadorëve me grupin parlamentar të PD nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:20.
Në këtë mbledhja ka munguar ish kryeministri Sali Berisha i cili mësohet se ka munguar për arsye personale. Një tjetër mungesë ishte edhe ajo e ish ministrit Genc Ruli i cili ka sqaruar mungesën e tij, duke theksuar se nuk u beson takimeve butaforike me ambasadorët.
Gjatë mbledhjes së sotme me grupin parlamentar të PD, e para ka folur ambasadorja e Bashkimit Europian, Vlahutin e cila ka përcjellë një mesazh të prerë e të qartë për klasën politike shqiptare: "pa miratuar Reformën në Drejtësi nuk ka ndihmë nga BE ka thënë ajo në fjalën e mbajtur para deputetëve demokrat në mbledhjen e grupit parlamentar".
Gjithashtu, Vlahutin tha se akush nuk ka kërkuar të miratohet reforma pa u lexuar më parë.
Nga ana tjetër edhe amasadori Donald Lu është shprehur i vendosur në qëndrimin e tij në emër të SHBA lidhur me Reformën në drejtësi. Ai mësohet të ketë thënë se nuk do të ndalojë insistimin e SHBA deri në finalizimin e Reformës në Drejtësi
"Ne nuk do të ndalojmë insistimin tonë derisa të finalizojmë Reformën në Drejtësi, do të kërkojmë me çdo kush finalizimin e kësaj Reforme kaq të rëndësishme"-mësohet të ketë thënë Lu.
Ky ishte takimi i fundit i ambasadorëve me grupet parlamentare, në vijim të përpjekjeve të tyrë për të gjetur konsensusin mes palëve.