Homazh per kengetaren Violeta Simoni
1 - (Duet me Ylber Gimjani) "Lumturi"
2 - Mos me qorto (Fest. 1-re i vitit 1962)
_____________
Violeta Simoni lindi më 10 tetor 1942. Ajo që në moshë të re u angazhua në veprimtari artistike që lidheshin me muzikën dhe aktrimin. Pasi mbaroi Liceun Artistik, ajo punoi si mësuese muzike, ndërsa paraqitja e saj e parë skenike ishte pjesëmarrja në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar në 1962-shin. U përfaqësua në këtë aktivitet me këngët “Mos më qorto” ku arriti të marrë çmimin e tretë , dhe “Lule te bukura sjell pranvera”, nga ku pati kulmin e saj artistik në kete vit, për t’u pasuar edhe me vlerësime për paraqitjen vizive në skenë, duke u konsideruar si “Miss Festivali”. Violeta Simoni e vazhdoi më pas karrierën e saj si këngëtare profesioniste në Estradën e Tiranës. Gjatë kësaj kohe, ajo realizoi duete të ndryshme muzikore me Pavlina Nikajn, Arta Babaramon dhe Tonin Tërshanën. Në repertorin e saj numërohen disa këngë, mes të cilave “Lumturi”, e kënduar me Ylber Gimjanin, “Erdha”, “Kitara partizane” etj. Për herë të fundit në publik, këngëtarja Violeta Simoni u shfaq në 2012, në dy emisione televizive. Ajo ishte e pranishme në emisionin “Zonë e Lirë” të drejtuar nga gazetari Arjan Çani dhe më pas në emisionin e Rudina Magjistarit, “Takimi i pasdites”. Pavarësisht moshës së saj dhe aktivitetit artistik të zhvilluar para viteve 1990, këngëtarja Violeta Simoni njihej si një personazh mendjehapur. Në edicionin e fundit televiziv ku ajo është shfaqur, rrëfimi i saj lidhej me një tatuazh që ajo kishte bërë në trup, edhe pse ishte në moshën 69-vjeçare. Gjatë viteve të fundit, edhe për shkak të gjendjes fizike, Violeta Simoni ishte tërhequr nga jeta artistike. Ndërkaq, gjatë vitit 2012 ajo ka qenë aktive në dhënien e intervistave në media të ndryshme në lidhje me aktivitetin e saj, duke vënë theksin te koha ku ka qenë pjesë e Estradës së Tiranës. Ndahet mes nesh ne vitin 2013 e gjetur pa shenja jete ne banesen e saj, nga ku eshte dyshuar per nje infarkt ne zemer
Pjesëmarrja në Festivale: 1962 - Mos me qorto; 1962 - Lule Te Bukura Sjell Pranvera në Festivali i 1-ë në RTSH