Avokat Spartak Ngjela shprehet se do të ketë politikanë që do të shkojnë përpara drejtësisë, pas miratimit të reformës. I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv, Ngjela u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha, falë reformës, do të ketë mundësi që të marrë avokat ndërkombëtar, për tu mbrojtur pasi që do të akuzohet, do të akuzohet patjetër. Sipas Ngjelës, reforma do të kalojë në Kuvend me mbi 100 vota dhe në fund, edhe vetë Partia Demokratike do ta votojë.
"Gjyqet këtu do të bëhen me ekspertizë ndërkombëtare. Pushtues i konsideron ky BE-në e SHBA-në? Ndërkombëtarët që flet ai, janë Gjermania dhe SHBA. Ne s?do lëmë Shqipërinë të hajë bukë thatë se do të rrijë Saliu me familjen e tij të jetojë me miliona. Ai duhet të marrë avokatë ndërkombëtar se do ta ketë mundësinë në drejtësinë që do të bëhet. Ka të drejtën e mbrojtjes se që, do të akuzohet, do akuzohet", u shpreh Ngjela.
Përsa i përket qëndrimit të Ramës, ai u shpreh se Rama u ka thënë "Po" amerikanëve për ktë reformë, por shtoi se nëse reforma dështon, Rama çon vendin në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, karriera politike e Ramës është e lidhur me reformën.
I pyetur për referendumin në Britani dhe për mundësinë e një zgjedhjeje që Shqipëria do mund të bënte midis Britanisë dhe Bashkimit Europian, Ngjela u shpreh se nuk ekziston një mundësi e tillë zgjedhjeje. Sipas tij, e vetmja gjë që mund të ndodhë është një risistemim i BE. "Nëse Unioni do ketë risistemim ne na leverdis. Bashkimi Europian tani ka një proces të shpejtë të zgjerimit të tregjeve", tha ai.
Ngjela u shpreh gjithashtu se e dinte që Britania e Madhe do dilte nga Bashkimi Europian, por juridikisht, tha ai, jo gjithçka është përfunduar.