Përfaqësues të qeverisë dhe deputetë të mazhorancës zhvilluan një ndeshje miqësore me ambasadorët e vendeve të BE, në Tiranë. Ndeshja u zhvillua në stadiumin "Selman Stërmasi" dhe përfundoi me rezultatin e barabartë 3:3. Qeveria kaloi e para në avantazh me anë të deputetit socialist, Eduard Shalsi. Dy golat e tjerë të Qeverisë u shënuan nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi.
Nga kabineti "Rama" në fushë luajtën ministrat Edmond Haxhinasto, Saimir Tahiri, Blendi Klosi e Arben Ahmetaj. Në këtë ndeshje luajti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Po ashtu në këtë takim, luajtën edhe deputetët e PS, Besnik Bare e Eduard Shalsi.
Në portë si përfaqësues i qeverisë luajti Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca. Tahiri e Shalsi luajtën në sulm, ndërsa Veliaj luajti si lojtar kyç në mesfushë.