Nisur nga disa ngjarje gjatë dy viteve të fundit, Këshilli i Ministrave ka propozuar ngritjen e një strukture të posaçme për hetimin e veprave penale në fushën e lëndëve narkotike vetëm në Forcat e Armatosura. Drafti me ndryshimet në ligjin nr. 8750, datë 26.3.2001, ?për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope?, është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa pritet të miratohet në sesionin e ardhshëm parlamentar. Drafti ndryshon nenin 6 të ligjit aktual, duke krijuar dy struktura për luftën kundër drogës, një në Policinë e Shtetit dhe tjetrën në Forcat e Armatosura. ?Struktura për hetimin e lëndëve narkotike, në Policinë e Shtetit, organizohet në nivel qendror, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, dhe në nivel vendor, në përbërje të drejtorive vendore të policisë. Struktura Qendrore për Hetimin e Lëndëve Narkotike (SQHLN) është përgjegjëse për parandalimin e luftën kundër veprave penale në fushën e lëndëve narkotike dhe për trajtimin, në mënyrë të unifikuar, të veprimtarisë së policisë së shtetit në këtë fushë. Struktura përgjegjëse për parandalimin dhe hetimin e veprave penale në fushën e lëndëve narkotike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë është Policia Ushtarake, e cila bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor?, parashikohet në draftin e qeverisë.
Zyra e të dhënave
Drafti parashikon që pranë Institutit të Shëndetit Publik krijohet Zyra e Sistemit Kombëtar të të Dhënave për Drogën. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Zyrës së Sistemit Kombëtar të të Dhënave për Drogën përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Zyra e Sistemit Kombëtar të të Dhënave për Drogën është partneri zyrtar në vendin tonë për Qendrën Evropiane mbi Drogat dhe të Varësisë nga Drogat.