Pas resortit gjigand me vlerë 180 milionë që do të ndërtohet në Gjirin e Lalzit qëndron një kompani nga Katari. Report TV ka mësuar se ajo quhet Omnix Albania me pronar shtetasin nga Katari Jamal Abdulsalam M Abuissa. Kompania është regjistruar në vitin 2008 në QKR, ku ka regjistruar një kapital pre 1.1 miliardë lekësh, afërisht 10 milionë dollarë. Abuissa rezulton edhe administrator i shoqërisë, detyrë që ja ka deleguar për një kohë të shkurtër përfaqësuesit të tij ligjor, Fadi Mitri, me pasaportë amerikane i lindur në Liban.
Kush është Jamal Abu Issa?
Investitiori nga Katari zotëron edhe një kompani tjetër në Shqipëri të quajtur OMNIX CONTRACTING AND ENGINEERING, administrator i së cilës është gjithashtu Fadi Mitri.
Jamal Abu Issa rezulton gjithashtu edhe themelues i grupit Omnix International, me seli qendrore në Dubai e me specialitet teknologjinë e informacionit. Grupi numëron sot më shumë se 1000 profesionistë në zyrat e veta të shpërndara në Dubai, Abu Dhabi, Arabinë Saudite, Katar, Kuvait, Oman e Jordani. Më parë ai ka qenë menaxheri i përgjithshëm i grupit Salam Studio and Stores, një prej zinxhirëve të shitjes me pakicë më të mëdhenj në Lindjen e Mesme.
Objekti i aktivitetit të shoqërisë OMNIX Albania është Zhvillimi i pasurive te paluajteshme, investime ne infrastrukture, turizem, Botime, sherbime mediatike dhe publiciteti, aktivitet ne fushen e radios dhe televizionit, Import-eksport, etj. Adresa kryesore e kompanisë është komuna Draç në Gjirin e Lalzit. Ndërkohë që faqja e saj zyrtare në internet është në ndërtim e sipër, e nuk ofron asnjë të dhënë.
Ndërkohë që nga bilanci i depozituar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se Omnix Albania është me humbje në pesë vitet e fundit. Për vitin 2015 hubjet në bilanc rezultojnë 74.5 milionë lekë, për vitin 2014 77.7 milionë lekë. Në vitin 2013, niveli i humbjeve është edhe më i madh, në kuotën e 95 milionë lekëve, thuajse 1 milionë dollarë. Me humbje disi më të vogla rezultojnë bilancet e veteve 2011 dhe 2012.
Leja e ndërtimit për resortin 180 milionë euro u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Por pas saj, nuk u bë publik as emri i kompanisë investuese dhe as vendi ku do të ngrihet resorti. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave thanë për Report TV se leja zhvillimore për këtë resort është miratuar nga Qeveria Berisha.