Familjet që do përfitojnë banesa sociale do përzgjidhen përmes një sistemi pikësh, ku do merren parasysh një seri elementesh, nga zotërimi apo jo i një shtëpie, kushtet familjare, rreziqet e shembjes, apo numri i fëmijëve.
Ministria e Zhvillimit Urban ka hedhur për konsultim publik draftin e parë të projektligjit "Për Programet Sociale të Strehimit". Sistemi i pikëve do vlerësojë me më shumë pikë familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi; që banojnë në ndërtesa që paraqesin rrezik shembjeje; që banojnë në banesa të mbipopulluara.
Vlersim të lartë me pikë do marrin dhe familjet që kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
Pikëzimi do vlerësojë dhe kushtet familjare.
Më shumë përparësi do kenë familjet një prindërore, që kanë në ngarkim fëmijë; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t'u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore; familjet me më shumë se katër fëmijë;çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç.
Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi rastet e mëposhtme: personat me aftësi të kufizuara; personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç; emigranti i rikthyer, punëtor emigrant; familjet e policëve të rënë në detyrë; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit; si dhe komuniteti Rom.