90% e aksidenteve në vitin 2015 kanë ndodhur në rrugë të cilësuara me kushte të mira. 66% tyre kanë ndodhur në rrugë të drejta, 16% në kthesa, 7% nëpër kryqëzime dhe 5.8% në kryqëzime.
Nga treguesit zyrtarë të Ministrisë së Transporteve rezulton se gjatë vitit të shkuar kanë ndodhur në total 1992 aksidente, 1834 prej të cilëve në rrugë të mirë ose premtuese, 68 në rrugë me gropa, 36 në rrugë të rrëshqitshme dhe 35 në rrugë me valëzime. 88% e aksidenteve kanë ndodhur në mot të thatë, 10% në mot të lagësht.
Gjatë muajve të verës dhe konkretisht në muajin gusht kemi një rritje respektivisht 23,4 % të aksidenteve rrugore. Nga analizimi i shkaqeve të aksidenteve faktori kryesor rezulton shpejtësia mbi normat e lejuara.
Pas tij renditet besimi i krijuar mbas një periudhe 10 vjeçare në drejtim mjeti dhe mos zbatimi i rregullave të qarkullimit nga këmbësorët. Shkak tjetër i rëndësishëm është edhe mosha mesatare e mjeteve.
Nga 1992 aksidente rrugore të ndodhura në vitin e shkuar, 270 persona kanë gjetur vdekjen, 402 persona janë lënduar dhe 2020 janë plagosur lehtë. Krahasuar me vlerën mesatare për 2009 - 2015, numri i të vrarëve është ulur me 14,5 %.
Këmbësorët janë grupi i përdoruesve të rrugës që përbën një përqindje të lartë të atyre që janë vrarë dhe janë 34,8 % e totalit të njerëzve të vrarë. Pasagjerët gjithashtu përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të atyre që janë të vrarë dhe përbëjnë 22,9% të personave të vrarë gjatë vitit 2015.
Në vitin 2015, janë vrarë 12 fëmijë, të moshës 0-15 vjeç, që do të thotë një rënie prej 42 % në krahasim me mesataren e gjashtë viteve të fundit.
Nga analiza e aksidenteve me humbje jete, shkaqet kryesore të ndodhjes janë tre: së pari shkeljet e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjetit. Tejkalimi i shpejtësisë tej normave të caktuara 75,5 % dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit. Së dyti, mos zbatim i rregullave të qarkullimit nga këmbësorët. (befasi, pakujdesi, kalim rruge pa kujdes, mosrespektim sinjalizimi rrugor etj). Dhe së treti, të metat teknike të mjeteve.