Report TV - Pas Bregut dhe Ruli kundër Bashës: Jo qeverisë teknike

Report TV 2016-09-25

Views 0

Pas Majlinda Bregut, edhe Genc Ruli shprehet kundër idesë së një qeverie teknike, e kërkuar kjo pak ditë më parë nga kryetari i PD, Lulzim Basha. Madje, kryetari demokrat, shkoi edhe më tej kur tha se "qeveria teknike" është kushti i opozitës për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi sipas tij, PS-LSI nuk ofrojnë asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por për Genc Rulin, qeveritë teknike gjejnë zbatim në kushtet e një krize të stërzgjatur politike. Sipas tij, Shqipëria nuk është në këto kushte, ku forcat politike të jenë të paafta për t'i dhënë zgjidhje situatës konfliktuale.

Sipas tij, Shqipëria nuk është as në vitin 1991 dhe as 1997, kur forcat politike bënë thirrje për konsensus të gjerë, për shkak të situatës emergjente në të cilën ndodhej vendi.

"Qeverisja me konsensus i besohet një ekipi kryesisht teknik e pak të lidhur me politikën profesionale. Nuk më duket se Shqipëria politike është aktualisht në një situatë të tillë ku të ketë një thirrje gjithë partiake për një konsensus të gjerë. Nuk besoj se jemi në rastin e një situate emergjence, sikur ishte në vitin 1991, siç ishte ?97 që kalohet me atë që quhet qeveri teknike, ose qeveri e shpëtimit kombëtar, që ishin një qeveri me mandat të kufizuar e të përkohshëm për të qeverisur një situatë të caktuar", thuhet në një reagim të Genc Rulit në Facebook.

Megjithatë, Ruli thekson se artikulimi i sotëm i qeverisë teknike, është i ndryshëm nga ai i konceptit historik. Sipas tij, palët shtyhen drejt kësaj teze për shkak të mungesës së besimit politik. Ndërsa LSI, thekson Ruli, i mëshon tezës së qeverisë së profesionistëve për të mbajtur në presion kryeministrin Edi Rama.

Share This Video


Download

  
Report form