Report TV - Çahet muri i bankes, autoret grabisin rreth 200 mije dollare

Report TV 2016-09-25

Views 1

Zbardhet shuma e grabitur nga një bankë e nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

Autorët, të cilët arritën të futen në dhomën e kasafortës duke çarë murin e bankës, përmes një lokali undergroud aty ngjitur, kanë arritur të marrin mbi 20 milionë lekë të reja.

Konkretisht ata kanë grabitur nga kasaforta 10 milionë lekë, 50 mijë euro si dhe 30 mijë dollarë.

Persona të paidentifikuar kanë mundur të çajnë murin e bankës, duke hyrë nga një lokal që ndodhet në katin e nëndheshëm në të njëjtin objekt ku ndodhen zyrtat e bankës.

Nga hetimet e kryera nga policia dyshohet se autorët kanë nisur punën e tyre në lokalin e nëndheshëm që prej ditës së premte pasdite, kur bankat e nivelit të dytë mbyllin zyrarisht punën në fund të javës.

Më pas personat kanë mundur të çajnë murin në tre pozicione të ndryshme duke mbërritur deri tek kasaforta prej çeliku. Për të mbërritur deri aty grabitësit mendohet se kanë përdorur dalta, çekiçë, apo edhe mjete prerëse dhe salduese me nxehtësi, për të hapur kasafortën.

Personat më pas kanë mundur të çajnë atë duke mundur të marrin që aty një shumë që sipas burimeve të policisë dyshohet se është rreth 20 milionë lekë të reja.

Blutë e Tiranës kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të hedhur më shumë dritë për këtë ngjarje.

Dyshimet e policisë janë se personat mund të kenë pasur bashkëpunëtorë nga punonjësit e bankës.

Ajo që kanë vënë re hetuesit është fakti se muri i bankës është çarë në një pjesë ku ai ka qenë thuajse tërësisht i amortizuar dhe se ishte tërësisht i kalbur.

Ndërkaq ekspertët në vendin e ngjarjes, përveç skemës janë përpjekur të gjejnë gjurmë të ndryshme që mund të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e autorëve të mundshëm.

Po kështu hetuesit po kërkojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë për dy javët e fundit për të parë lëvizje të mundshme të personave të dyshuar që mund të kenë hyrë në ambientet e lokalit nga ku edhe ka ndodhur vjedhja me thyerje e bankës.

Share This Video


Download

  
Report form