Kuvendi ka miratuar në seancë të jashtëzakonshme, vetëm me votat e mazhorancës PS-LSI-PDIU, projektligjin për ?Për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve? ose siç quhet ndryshe, vettingun.
88 vota shkuan pro vettingut, ndërsa 1 votë ishte abstenim, ajo e Vangjel Dules së PBDNJ, i cili është rreshtuar me koalicionin opozitar.
Opozita nuk mori pjesë në votim, pasi më herët braktisi punimet e Kuvendit.
Fillimisht ishte raportuar se seanca do të zgjaste deri në mesnatë, por gjatë diskutimeve pati vetëm katër folës, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve, rreth 20, u tërhoqën. Sikurse nuk munguan as replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të qeverisë Sali Berisha.
Për Partinë Socialiste foli vetëm Pandeli Majko, Eduard Halimi prezantoi qendrimin e PD, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta foli në emër të grupit të LSI dhe Fatmir Mediu për grupin e PR dhe Mesila Doda në emër të grupit të PDIU.
Mazhoranca PS-LSI-PDIU kishte në sallën e Kuvendit 88 deputetë, ndërsa për miratimin e vettingut i duheshin 84 vota.
Ndërkohë, demokratët mbajtën qëndrim kritik ndaj projektligjit, pasi sipas tyre, miratimi i draftit më 22 gusht vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Posaçëm, është cilësuar si antikushtetues nga PD.
Nga ana tjetër, mazhoranca mbrojti projektligjin, duke deklaruar se vettingu do të spastrojë drejtësinë nga të korruptuarit. Sipas shumicës, kundërshtimet e opozitës vijnë si rrjedhojë e frikës që kanë eksponentët e saj nga reforma në drejtësi.