Ndonëse konsiderohet institucion përgjithësisht i besueshëm dhe histori suksesi në raport me nivelin e degradimit të gjykatave të tjera, Gjykata Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i trembet shndërrimit në Gjykatë Speciale dhe procesit të Vetingut, ndërsa kërkon mandat të pakufizuar dhe kushte të tjera për t?u konfirmuar në detyrë.
Gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda i kërkojnë Kuvendit rishikimin e Kushtetutës së re, e cila në pikën 9, e bërë pika 8 e nenit 179, parashikon shkrirjen e kësaj gjykate dhe ngritjen e Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë dosjet e krimit dhe korrupsionit elitar. Kushtetuta e re parashikon që Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor.