Partia Demokratike konteston disa pika kyçe të ligjit themelor për zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç është ligji për ngritjen e institucioneve që do të luftojë krimin dhe korrupsionin elitar, i quajtur ndryshe SPAK. Ashtu siç operoi me ligjin e Vetingut, opozita ka shpallur 21 amendamente për ligjin e SPAK, dukë hyrë në një kurs të ri përplasjeje me misionet e SHBA-BE në Tiranë, të cilët kanë hartuar dhe rishikuar nismën ligjore. Amendamentet kryesore të Partisë Demokratike fokusohen tek Byroja Kombëtare e Hetimit, struktura që, në bashkëpunim me ekspertët e FBI, do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Opozita e konsideron të papranueshme Byronë e Hetimit sipas parashikimeve të ligjit të ndërkombëtarëve.