Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP). Hapja e kanaleve për shtrirjen e tubacioneve ka sot nisur nga Fieri, ndërkohë që gazsjellësi përshkon territorin shqiptar nga Fieri, për të vijuar më pas në Çorovodë (Berat) dhe përfundon në Devoll.
Kryeministri Edi Rama u shpreh në ceremoninë e inaugurimit të punimeve të TAP, se ky gazsjellës sjell në ekonominë shqiptare rreth 1 miliard euro. Kryeministri vlerësoi se ky projekt gjeneron 1700 vende të reja pune me paga deri në 600 euro.
"Ky gazsjellës sjell avantazhe të panumërta që e tejkalojnë misionin e tij bazë. Punimet vazhdojnë prej dy vitesh me një ritëm shumë të kënaqshëm. Mjafton të them disa prej tyre, TAP ka rehabilituar afro 100 km rrugë, në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit. Ka ndërtuar 2 ura të reja, dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera. U ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve, 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, është përditësuar dhe rritur numri i përfituesve nga shpronësimet e truallit ku do të kalojë gazsjellësi.