Prej ditësh në Reç të Malësisë së Madhe ka nisur mbledhja, grumbullimi dhe tregtimi i gështenjës, e cila shkon për eksport në shtetin fqinj të Italisë.
Sipas banorëve të zonës prodhimi këtë vit ka qenë më i ulët në krahasim me vitet e kaluara si pasojë e kushteve atmosferikë, megjithatë pozitive mbetet gjetja e tregut dhe shitja e gështenjava.
Zona e Reçit shquhet për prodhimin e gështenjës, jo vetëm në vendin tonë por dhe në shtetet Europiane.
Në këtë zonë ka vite që është krijuar kooperativa prodhimtare e cila merret me grumbullimin dhe tregtimin e kulturës së gështenjës drejt Italisë.
Zona e Reçit është përfshirë në projektet e Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor, si një projekt strategjik ku Instituti i Kërkimeve Urbane ka bërë një studim të posaçëm për zhvillimin ekonomik të zonës nëpërmjet kultivimit të gështenjës.