Operacion për arrestimin e Kelment Balilit

RTV KLAN 2016-12-10

Views 3

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, nisën në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, një operacion për arrestimin e Kelment Balilit në Sarandë dhe Delvinë. Që në orët para të ditës, efektivë të RENEA-s kryen kontrolle në kompleksin ?Santa Quaranta?, i cili është në pronësi të Kelment Balilit, i pagëzuar nga mediat greke si "Eskobari i Ballkanit".

Përveç efektivëve të FNSH-së, në kontrollin blic kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Këta të fundit prej pak ditësh kanë marrë në dorëzim dosjen voluminoze në ngarkim të Balilit të përgatitur nga autoritetet helene dhe të përkthyer nga Ministria e Drejtësisë.

Menjëherë më pas, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arrestin për Balilin, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e arrestit me burg në mungesë. Policia ka vepruar sapo ka marrë për ekzekutim urdhër arrestin, duke i përqendruar kontrollet, përveç resortit luksoz "Santa Quaranta", edhe në banesa të të njohurve të Balilit, në Sarandë, Delvinë etj.

Rreth 15 persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje nga hetuesit, për të zbuluar vendndodhjen e mundshme të Balilit. Kontrolli nuk ka sjellë dot arrestimin e tij, por ende mbetet për të mesuar nëse Prokuroria ka gjetur elementë me vlerë për hetimin gjatë kryerjes së këtij operacioni.

Ndërkaq, një person i njohur si lidhje e afërt me Balilin u arrestua në flagrancë, pasi në banesë atij iu gjet një armë zjarri pistoletë.Kelment Balili është shpallur në kërkim nga autoritetet greke prej të paktën 7 muajsh dhe ai akuzohet se ka drejtuar një rrjet shpërndarje lëndësh narkotike, që kishte një shtrirje gjoegrafike jo vetëm mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe vendeve të tjera europiane.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form