Aldi Lleshaj, 21 - vjeçari që plagosi efektivin e policisë, Nikolin Gjergji në Kurbin, ishte arrestuar nga policia dy muaj më parë. Më 9 Tetor, ai ishte prangosur për plagosje dhe kërcënim të një personi për vrasje.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, duke bërë publike këto detaje, kritikoi drejtësinë, se nuk e ka vlerësuar siç duhet veprën e tij penale.
Lleshaj ka qenë i arrestuar nga policia më 9 Tetor, pasi kishte plagosur me sende të forta dhe kanosur për jetën një person në Laç. Megjithatë, ai është lënë i lirë nga gjykata e këtij rrethi.
Ai u arrestua në Gjorm, pasi forcat RENEA e plagosën në këmbë me snajper.
Gjatë prangosjes, ai mësohet t?u ketë thënë forcave të rendit se nuk dorëzohet dhe se ishte i pavdekshëm. Nisur nga ky fakt, ai pritet t?u nënshtrohet ekzaminimeve mjeko - ligjore për të konfirmuar gjëndjen e shëndetit të tij mendor.
Lleshaj e plagosi policin Nikolin Gjergji me një plumb në kokë, teksa po arratisej në autostradën Laç ? Milot me një makinë që e kishte grabitur.