Falë investimit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, banorët e zonës së Allias-Bregu i Lumit do të kenë mundësi që të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm, pasi zona në fjalë nuk ka pasur mbulim apo linjë furnizimi.
Për të inspektuar punimet, të cilat priten që të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla. Kryetari Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë me investimet për përmirësimin e infrastrukturës, si në qendër të qytetit, ashtu edhe në periferi.