TIRANE-Një pajisje Imsi Catcher që shërben për përgjime të specializuara është futur që në kohën kur ministër i Brendshëm ka qenë Flamur Noka. Kështu deklaroi sot në Komisionin Hetimor për pajisjen e përgjimit, oficeri i Policisë, Entjol Xhelili, ndërkohë që opozita e cila ka ngritur këtë Komision, pretendon se Imsi Catcher është futur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pa dijeninë e Prokurorisë.
Anëtarët e mazhorancës pas deklaratës së Xhelilit kërkuan që të hetohet edhe periudha kur ka qenë ministër Flamur Noka dhe të zgjatet afati i komisionit.
Në fund të dëshmisë, Entjol Xhelili i cili mbante veshur një bluzë të kuqe me shqiponjë dykrenore në gjoks, ndërsa në krahë të lidhur dy shalle, një me flamurin e amerikan dhe një tjetër me flamurin e BE, këndoi dhe himnin kombëtar. Xhelili tha se ky veprim është betimi se sot në Komision ka dëshmuar të vërtetën.