Ka pasur rezerva të forta ministri i drejtësisë Ylli Manjani për 4 ligjet e paketës antikorrupsion të Reformës në Drejtësi.
Konkretisht 2 prej ligjeve , ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe përgjimin e telekomunikacioneve shkelin rëndë të drejtat e njeriut. Me termin dyshim i arsyeshëm, sipas Manjanit çdo individ anonim mund të akuzojë tjetrin, dhe ky i fundit përveçse pa para mund të përfundojë dhe në burg.
Edhe ligji i përgjimeve , ku i jepen më shumë kompetenca agjencive inteligjente të regjistrojnë bisedat me audio e video, në çdo ambient privat e publik, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe terrorizmit, sipas ministrit të drejtësisë është abuziv. Por ndryshe mendojnë deputetët e PS-së.
Përplasja mes deputetëve të Reformës dhe ministrit të drejtësisë ishte dhe për kompetencat e inspektorëve të deklarimit dhe kontrollit të pasurive. Ministria do të sjellë ndryshime për pjesën me të madhe të ligjeve të paketës, ndërsa deputetët shpesh herë i bënë të qartë se nuk do të pranojnë drafte paralele nga qeveria, për aq kohë sa reforma po kryhet nga kuvendi.