Debate, akuza dhe tension në Kuvend. Pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri kundër PD se po bllokon reformën në drejtësi, pasi ka frikë kanë reaguar deputetët e djathtë duke bllokuar foltoren e Kuvendit.
Tahiri iu drejtua Berishës që t'i bëjë thirrje Shkëlzenit që të shkojë që të dëshmojë në komisionin hetimor për CEZ, por edhe në prokurori për akuzat.
"Thuaj tët biri dhe të përgjigjet për atë që ka bërë në lëkurën tënde kur ke qenë kryeministër" tha Tahiri.
Ministri iu përgjigj në mënyrë indirekte edhe akuzave të Manjanit para tre ditësh duke thënë se kush ka akuza të shkojë në prokurori.
"Nëse keni akuza shkoni në Prokurori".
Por ajo deklarata që solli reagimin e ashpër të opozitës ishte akuza për gjyqtarët dhe prokurorët.
"Ka gjyqtarë që janë emëruar me demek me short. Pse nuk flet parlamenti për drejtësinë.
Një gjysmë këtu nuk e do reformën në drejtësi, pasi duan ta mbajnë peng" u shpreh Tahiri duke sjellë reagimin e opozitës që bllokoi foltoren për disa minuta.
Ndërsa Berisha ka replikuar me Tahirin duke u shprehur se Rama kërcënon gjyqtarët, ndërsa Manjani u shkarkua për të shpëtuar Balilin.
"Rama kërcënon gjyqtarët. Qeveria po përdor krimin për interesa personale. Rama u tha ndërkombëtarëve se Balili fshihet në pronat e kryetarit të Kuvendit.
Manjani u shkarkua për të shpëtuar Balilin" tha ai. Ndërsa ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i kërkoi opozitës që të kërkojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë pas akuzave të ministrit Manjani.